Kontroll faktesh mbi sigurinë ushqimore në Wake Up

Më datë 25 tetor në emisionin Wake Up (Top-Channel) ishte e ftuar dietologia Blerina Bombaj e cila shprehu disa mendime mbi sigurinë ushqimore, kryesisht u fol për produktet e destinuara fëmijëve por tematika prek nga afër të gjitha produktet ushqimore. Opinionet e shprehura nga dietologia na lanë disi të habitur sepse ishin totalisht të gabuara, dhe të renditura njëra pas tjetrës dhanë një dezinformim total mbi këtë temë kaq delikate. Si herë të tjera kur jemi hasur me situata të tilla dezinformuese (https://www.eonimpresa.com/mbi-mishin-e-fresket-dhe-lajmet-e-gabuara-ne-media) vendosëm të bëjmë një ballafaqim mes asaj që u tha gjatë emisionit dhe asaj që rezulton në praktikë dhe legjislacion.

Si studio që merret me normativat e sigurisë ushqimore, kemi përgëzuar gjithmonë emisionet që trajtojnë këtë temë kaq delikate në Shqipëri.
Shpesh herë jemi gjendur dakord me argumentet e përdorur nga folësit dhe shpeshherë kemi gjetur mangësi të theksuara të njohurisë së sektorit.
Mangësia më e madhe kur flitet për sigurinë ushqimore, dhe që na bën habi kur shohim këto lloj emisionesh, është mungesa totale e trajtimit të temës së sistemit HACCP. Si mund të flitet për sigurinë ushqimore në vend pa përmendur Udhëzimin nr.20 të datës 25 nëntor 2010, është akoma mister. (rikujtojmë që HACCP është sistemi që “rregullon” sigurinë ushqimore, në Shqipëri është bërë i detyrueshëm për çdo operator të sektorit ushqimor nga Udhëzimi nr. 20 i datës 25.11.2010)

Fillojmë me kontrollin e fakteve(fact-checking) me pasaktësinë më të madhe, ku dietologia shprehet në minutën e 46:00 se “… tani po hyjnë shumë më tepër në saj të ushqimeve të përpunuara. Problemi më i madh është që nuk ka kontroll, d.m.th. edhe në Amerikë, edhe në vendet më të zhvilluara, nuk mundet që çdo ushqim që hidhet në treg të merret dhe të kontrollohet për gjithë përbërjen e tij. Pra kontrolli është shumë i vështirë, për pjesën e këtyre metaleve të rënda sidomos, sepse mund të bëhen kontrolle për pesticidet, mund të bëhen kontrolle gjatë prodhimit, gjatë trajtimit, por se çfarë merr nga toka ushqimi […] Është e pamundur të kesh njohuri, dijeni për çdo ushqim që gjendet në raft, në botë, se çfarë përmban… Është një sasi shume e madhe ushqimesh, e papërballueshme për çdo lloj laboratori në çdo lloj vendi të botës të zhvilluar. Mungojnë këto kontrolle…”

Këto argumente të zonjës Bomba shprehin qartë mos diturinë e saj se si funksionon Siguria Ushqimore dhe se si janë të normuara kontrollet.
Nuk është aspak e vërtetë që bota e zhvilluar nuk ka aftësi të ketë dijeni për situatën e sigurisë ushqimore. Kontrollet nuk bëhen për çdo produkt ushqimor, as normativat botërore dhe as sistemet si HACCP nuk e parashikojnë një gjë të tillë, jo vetëm për faktin, si tha edhe dietologia, që është i pamundur ky lloj kontrolli, por edhe sepse është i panevojshëm.
Pse nuk është e nevojshme të kontrollojmë çdo produkt? Sepse do të ishte njësoj sikur të shkonim të bënim analizat përditë, gjatë gjithë jetës tonë, edhe kur nuk kemi asnjë sëmundje. Praktikisht kohë e humbur.
Përveç kësaj, do të ishte dhe e padobishme të analizonim këto produkte, për faktin që kontaminimi mund të lindë edhe në frigoriferin e konsumatorit. Produktet ushqimore mund të kontaminohen në çdo çast, për këtë fakt sistemi HACCP është i detyrueshëm.
HACCP është sistemi që analizon rreziqet që i kanosen të gjitha produkteve ushqimore.
Pra, nuk ka nevojë të analizohen gjithë produktet por mjafton të analizohen situatat ose faktorët e rrezikut (në fund të artikullit do të rimarrim shpjegimin se si funksionon monitorimi dhe kontrollet).

“Për arsenikun nuk ka limit sigurie…” shprehet Znj. Bombaj, ndërkohë që Rregullorja BE 1006/2015 përkufizon limitet e arsenikut në ushqimet që konsiderohen më të pasura me të. Pra kemi një Rregullore të posaçme vetëm për arsenikun.

Në minutën e 55:00 flitet për faktin se as produktet e certifikuara “BIO” nuk na shpëtojnë nga rreziku i metaleve të rënda.
Kjo është diçka e vërtetë, sepse kontaminantët kryesore të tokës janë pikërisht pesticidet që përdoren në bujqësinë industriale.
Por më pas dietologia gabon kur shprehet se “… një prodhim BIO nuk e ka në kriteret e tij që toka të jetë pa metale të rënda, por e ka me kriter që toka të jetë JO e përdorur me pesticide, kaq.”

Në artikullin mbi BIO-n që mund të lexoni në Website-n tonë, shprehet qartë që ideja e shumë përhapur se bujqësia BIO bëhet pa pesticide është thjesht një legjendë urbane:
https://www.eonimpresa.com/disa-pyetje-pergjigje-mbi-bio-n/?lang=sq

Dhe ja një liste pesticidesh që përdoren për bujqësinë BIO (janë plot 7 faqe):
https://www.fitosanitario.pc.it/files/9814/1206/2830

Përpos faktit që as bujqësia BIO nuk i shpëton kontaminimit me metale të rënda, mund të themi pa mundësi kundërshtimi që në emisionin Wake Up të datës 25 tetor, u ndodhëm përpara 10-15minutash dezinformim mbi kontaminuesit ushqimorë, sigurinë e produkteve ushqimore si dhe protokollet e kontrolleve për të siguruar një ushqim të sigurtë si për te sapolindurit, për fëmijët por edhe për moshat e rritura.

Përsa i përket monitorimit dhe kontrolleve, është normale që dikush jo i sektorit mos të dijë se si funksionojnë, sepse për ti kuptuar duhet një njohuri shume e mirë e sistemit HACCP.
Çdo shtet i përparuar ka një plan vjetor për provat ndër laboratorike. Prova që konsistojnë në analizën e disa mostrave që përmbajnë një ose më shumë elementë kimikë për të cilat Rregullorja KE 1881/2006 (dhe ndryshimet e saj me Rregulloret BE 1005/2015, 1006/2015 etj.) vendos kufijtë maksimal (arseniku inorganik, kadmiumi, plumbi, merkuri, kallaji inorganik).

Jemi shumë të bindur që dietologia e njeh shumë mirë profesionin e saj, por ka informacion të cunguar mbi sigurinë ushqimore. Na vjen keq që shpesh herë në Shqipëri gjendemi para profesionistëve të sektorëve të tjerë që flasin në rubrika televizive apo radiofonike, duke gabuar çdo gjë të mundshme, mbi një tematikë kaq delikate si është ajo e sigurisë ushqimore.

Do të dëshironim që drejtuesit e programeve me këtë tematikë të ftonin të flisnin njerëz të fushës përkatëse, përndryshe do vazhdojnë të gjejnë veten përpara shumë pasaktësive që prekin nga afër dhe ata.
Profesionistë mbi proceset laboratorike nuk i mungojnë Shqipërisë, as konsulentë të sigurisë ushqimore që njohin nga afër praktikat e mira të prodhimit, praktikat e mira të higjienës dhe sistemin HACCP.

P.S.
HACCP nuk është i vetmi sistem që analizon rreziqet ushqimore, por ne e përmendim gjithmonë për disa faktorë:

  1. Është detyrim ligjor në BE (por edhe në shumicën e vende të tjera të globit) me Rregulloren KE 852/2004, i aktualizuar në Shqipëri me Udhëzimin nr. 20 të datës 25 nëntor 2010.
  2. Është sistemi që rregullon çdo fazë të produktit ushqimor nga lënda e parë dhe deri tek konsumatori; pra importin, eksportin, prodhimin, transportin, ruajtjen (magazinimin), përpunimin, shitjen apo furnizimin e produkteve ushqimore. Nga eksperienca jonë në Shqipëri, kjo pikë akoma nuk është e qartë as për shumë inspektorë të AKU-së (të ndodhur në PIK, në terren, apo në institucion), as për Ministrinë e Bujqësisë, as për shumë (në mos totalisht) Biznese të Sektorit Ushqimor, as për shumë studentë të UBT apo universiteteve të tjera analoge dhe as për institucionet që kanë lidhje të tërthortë me ushqimin si Drejtoria e Prokurimeve. Mendojmë që një fushatë e gjerë sensibilizuese nga ana MBZHRAU do të ishte e domosdoshme.
  3. Është sistemi që ndihmon operatorët ushqimorë të ulin kostot, të rrisin cilësinë, eksportin etj.
    Ka nuancën e detyrimit të kotë, duke u ngatërruar shpesh me vetëm dokumentin e manualit, por kryesisht është një prioritet për këdo që dëshiron ti hyjë biznesit ushqimor për arsyen se ruan shëndetin e konsumatorit (i cili shpesh përkon me vetë operatorin dhe me familjarët e tij) dhe prek në mënyre direkte buxhetin e çdo shteti (por dhe çdo konsumatori) për mjekësinë.

Burimi: Wake Up i datës 25 tetor 2019



[contact-form-7 id="355" title="Forma Kontaktit"]

This will close in 0 seconds