fbpx
 

Sistemi HACCP nuk është certifikim edhe pse per Bashkinë Tiranë është kriter përjashtues në tenderimet publike!

Shpesh shohim të përdoret në formë konfuze “Certifikimi HACCP”.
Rasti më i fundit është Procedura për Tenderim me nr. REF-13080-11-25-2021 “Furnizim me ushqim per mencen sociale” me autoritet kontraktues “Qendra Komunitare Shkoze Tirane”, institucion i Bashkisë Tirane, i cili në dokumentin “Për Hartimin, Argumentimin dhe Miratimin e Kritereve të Veçanta për Kualifikim dhe Specifikimeve Teknike, që lidhen me kapacitetin ekonomik dhe financiar, kapacitetin teknik të procedurës së prokurimit me objekt: FURNIZIM ME USHQIM  PËR MENCEN SOCIALE”, në pikën 2.3.3 gërma a) kërkon “Çertifikatë e menaxhimit për sigurinë ushqimore sipas konformitetit me standartet evropiane (HACCP) (Ne rastet e bashkimit te operatoreve ekonomik, cdo anetar i grupit duhet te paraqese certifikaten (HACCP).

Me pikat në vijim kërkohen dhe një sërë certifikatash ISO të cilat janë të pamundura edhe për disa klientë tanë në Itali që janë operatorë ndërkombëtarë të mirënjohur në tregun botëror. Siduket Shqipëria na ofron subjekte tregtare që janë si gurë të çmuar të cilët as bota nuk i ka zbuluar. (Ri përsërisim kërkesën për subjektet tregtare të jenë të kujdesshëm në pajisjen pa kriter me certifikata të standardeve globale si ISO, Global GAP etj. të cilat edhe pse në Shqipëri akoma nuk ka një ent kontrollues, në vendet e tjera përbëjnë kundërvajtje penale)

Dëshirojmë të njoftojmë Bashkinë e Tiranës dhe autoritetin kontraktues “Qendra Komunitare Shkozë Tiranë” që sistemi HACCP NUK është një alternativë e kategorizuar si standard evropian por një sistem i detyruar nga legjislacioni në fuqi me Ligjin Nr. 9863/2008 neni 26 referuar Udhëzimit Nr. 20/2010.
Siç parashikohet qartë në Udhëzimin e sipërpërmendur sistemi i vetëkontrollit HACCP është një monitorim i vazhdueshëm ditor i të gjitha proceseve në sektorin ushqimor dhe si i tillë nuk mund të certifikohet por vetëm mund të vetë deklarohet.

Vetëm operatoret e sektorit ushqimor mund te pajisen me certifikatë HACCP, gjë qe është e detyrueshme në vendet e BE por që në Shqipëri mbetet akoma ne formën opsionale.

Kërkesa e një të ashtuquajture “Certifikatë HACCP” vë në dukje që sistemi Shqipëri e ka shumë konfuz implementimin e sistemit HACCP edhe pse ky i fundit është detyrim ligjor që në vitin 2010, si dhe ngrihen shumë pikëpyetje mbi vërtetësinë e certifikatave ISO 22000, FSSC 22000, Global Gap etj., të cilat janë rrënjësisht te ndërlidhura me implementimin dhe aplikimin e vazhdueshëm te detyrimit ligjor HACCP.

Mbetemi në dispozicion për sqarime të mëteshjme për këdo autoritet kontraktues që vazhdon të ketë paqartësi në kriteret e tenderimeve në sektorin ushqimor.

P.S.
Në tavolinën teknike “ZINXHIRI FTOHËS IMPORT/EKSPORT DHE MAGAZINIMI” të organizuar nga Confindustria Albania në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Shqipëri, më datë 25 Nëntor 2021, përfaqësuesja e studios EON si dhe e Confindustria Albania pyeti nëse ka në projekt plan trajnimi për autoritetet kontraktuese nga ana e drejtorisë së përgjithshme të AKU-së. Mbase me të drejtë përgjigja e përfaqësuesit të institucionit ishte që përgjegjësia e informimit si dhe përgjegjësia penale është personale.



    This will close in 0 seconds