PEZULLIMI I INSPEKTORËVE TË AKU-SË, MË NË FUND NJË REAGIM INSTITUCIONAL – POR A MJAFTON NJË KOMISION PËR TË RIKTHYER BESIMIN?

Ministrja e Bujqësisë, znj. Anila Denaj, ka njoftuar pezullimin e veprimtarisë së inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), në një hap të ndjeshëm që vjen pak javë pasi Kryeministri Rama kërkoi ndërprerjen urgjente të funksionimit të këtij institucioni. Në qendër të kësaj ndërhyrjeje është ngritja e një komisioni vlerësimi me 5 anëtarë, tre prej të cilëve nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, që do të testojnë si stafin aktual, ashtu edhe aplikantët e rinj për pozicione inspektorësh në AKU.

Në fjalën e saj, znj. Denaj deklaroi:

“Kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimit pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara… Komisioni do të vlerësojë me shkrim dhe me gojë inspektorët e AKU-së dhe do të garantojë një etikë të re për institucionin.”

Ky është një zhvillim i rëndësishëm, sepse për herë të parë njihet institucionalisht që problemi i sigurisë ushqimore në Shqipëri nuk ka qenë ligji, por zbatimi i tij, dhe më konkretisht kapaciteti teknik dhe etik i vetë inspektorëve të AKU-së.

Kujtesë publike: këmbanat kanë rënë prej kohësh

Ky pezullim nuk është një risi për sektorin. Studio EON dhe operatorë të ndryshëm të biznesit kanë sinjalizuar në mënyrë të vazhdueshme – madje edhe me publikime të detajuara – për veprimtari abuzive, jo profesionale dhe madje keqinformuese të disa përfaqësuesve të AKU-së.

Disa nga rastet më domethënëse përfshijnë:

🔹 Mos-transparenca në publikimin e shkelësve – AKU nuk njofton emrat e shkelësve, duke dobësuar efektin parandalues të inspektimeve.
🔹 Keqinterpretimi i sistemit HACCP – në tenderime kërkohen certifikime qe janë indikatorë të qartë të mosnjohjes së sistemit mbi të cilin operon AKU, HACCP konsiderohet “certifikim”, ndonëse nuk është i tillë.
🔹 Kualifikime të papërshtatshme – persona me trajnime të thjeshta guzhine ngarkohen me përgjegjësi drejtimi teknik në fabrika prodhimi ushqimor.
🔹 Mungesë trajnimi të vetë inspektorëve – artikuj që kërkojnë hapur që dikush të trajnojë AKU-në.
🔹 Keqinformim përmes faqes zyrtare – ku shpesh publikohen udhëzime në kundërshtim me ligjin dhe praktikat europiane.
🔹 Interpretime që shprehin qartë mosnjohjen e tematikës së sigurisë ushqimore duke gjobitur në mënyrë të indiskriminuar bizneset ushqimore për pajisjen me QKL – një tjetër shembull i interpretimit të gabuar të ligjeve.
🔹 Kërkesa të pajustifikuara për dokumentacion teknik në importin e produkteve me origjinë jo shtazore në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe ligjin për ushqimin.

Vlerësimi: fillimi i duhur, por jo mjaftueshëm

Edhe pse nisma për testim dhe vlerësim është pozitive, ajo mbart disa rreziqe, për sa kohë që:

  1. Nuk ka transparencë për kriteret e vlerësimit, as për përvojën profesionale të anëtarëve të komisionit.
  2. Rrezikon të jetë një akt formal, pa ndëshkuar asnjë përgjegjës për abuzimet e së kaluarës.

  3. Nuk krijon ende një mekanizëm institucional për konsultim me shoqatat e sektorit, të cilat janë burimi më i mirë për feedback të drejtë dhe të paanshëm.

 

Çfarë do të duhej realisht?

Auditim teknik dhe etik i të gjithë vendimeve inspektuese të viteve të fundit.
Përfshirja e shoqatave të sektorit në krijimin e një sporteli unik në institucionin e Ministrisë së Bujqësisë për ndërveprimin e vazhdueshëm.
Publikimi periodik i analizave të performancës së AKU-së.
Përditësimi real i databazës së hapur për publikun me inspektime, gjetje dhe masa.

Në vend të mbylljes

Pezullimi i inspektorëve dhe ngritja e një komisioni është një hap i rëndësishëm. Por nuk duhet të jetë i vetëm. Pa një kthesë të thellë profesionale dhe institucionale, AKU rrezikon të mbetet një tabelë emërtimi, ndërsa realiteti i terrenit të vazhdojë të mbetet po ai: inspektime sipas oreksit, trajnime pa vlerë, dhe biznese të ndershme të penalizuara në një sistem të çorientuar.



[contact-form-7 id="355" title="Forma Kontaktit"]

This will close in 0 seconds