fbpx
 

LEGJIONELA VRET? FAKTORËT KRITIKË DHE STRATEGJITË E PARANDALIMIT

Ky bakter është ndër patogjenët më të rrezikshëm që transmetohet përmes ujit.
Infeksioni i shkaktuar nga ky bakter është përgjegjës për një sërë çrregullimesh që mund të variojnë nga një sindromë e lehtë e ngjashme me gripin deri në një pneumoni intersticiale më serioze, me rezultate ndonjëherë fatale.

Nga viti 2000 deri në vitin 2019, sipas një vlerësimi të Institutit të Shëndetit Superior italian (ISS), rastet e Legjionelozës në Itali ishin rreth 18.000, me kulmin prej 2.000 pacientësh në vit (Shënim: në faqet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (shendetesia.gov.al) dhe në faqen e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ins-shendetesor.gov.al) nuk ka statistika mbi rastet e këtij bakteri në vendin tonë).

Shkalla e vdekjes nga Legjionela është tejet e lartë: ajo luhatet mesatarisht midis 3% dhe 10% (shifrat janë një mesatare e marrë nga statistikat e vendeve të përparuara të cilat janë të pajisura me legjislacionin përkatës dhe kanë ngritur struktura protokollesh tashmë efektive ndër vite).

Të qenit të vetëdijshëm për problemin dhe të dish se si ta trajtosh atë në mënyrë efektive mund të shpëtojë jetën e atyre që janë më të ndjeshëm ndaj infektimit.

Legjionela, mënyra e transmetimit të bakterit

Legjionela është një bakter i ashtuquajtur i kudondodhur, i cili gjendet kudo në mjedis. Habitati ideal natyror përfaqësohet nga sipërfaqet e liqeneve apo lumenjve, burimet termale, akuiferet dhe të gjitha mjediset me lagështi (dushe, sistemet e centralizuara VRF, umidifikatorët, kondicionerët, hidromasazhet, pishinat etj.).
Bakteri mund të kontaminojë lehtësisht mjedise artificiale ujore si depozitat, rezervuarët, pishinat, impiantet e ujit dhe ajrit të kondicionuar të ndërtesave publike dhe private.
Duke qenë se këto struktura janë të pranishme në të gjitha vendet që frekuentohen zakonisht (spitale, shtëpi, hotele, ambiente sportive, pishina, shkolla, etj.), rreziku për t’u prekur nga Legjioneloza është potencialisht shumë i lartë.

Kur bëhet fjalë për infektimin me Legjionelë, megjithatë, duhet të specifikohet se ky bakter nuk transmetohet nga njeriu në njeri. Transmetimi i Legjionelës ndodh midis individit dhe ujit të kontaminuar.

Por si ndodh infeksioni? Legjionela transmetohet në dy mënyra:

  • Inhalimi i aerosolëve që përmbajnë Legjionelë (ajri i kondicionerëve, hamame, spa etj.);
  • Mikro thithje e ujit të ndotur (larje dhëmbësh, larjes në dush/vaskë etj.).

Për këtë, të gjitha impiantet e ujit dhe impiantet e gjenerimit të aerosolit janë shoqëruar me transmetimin e sëmundjes, si: dushet, vaskat, impiantet e centralizuara të kondicionimit VRF, umidifikatorët, kondicionerët, hidromasazhet, hamamet, SPA-të, pishinat, terapitë me aerosol dhe oksigjen etj..
Legjionela depërton përmes mukozave të traktit të sipërm respirator të trupit të njeriut, përmes thithjes ose aspirimit të ujit të spërkatur ose pezulluar në ajër, që përmban bakterin.
Rreziku i këtyre grimcave të ujit të kontaminuar lidhet ngushtë me madhësinë e tyre: për shembull, pikat më të vogla se 5 mikron janë ato që mund të depërtojnë më lehtë në traktin e poshtëm të frymëmarrjes, duke gjeneruar simptomat më të rënda.

Legjionela vret: cilët janë faktorët kritikë

Fakti që e njëjta specie Legjionelë mund të shkaktojë dy forma klinike të dallueshme varet në thelb nga 3 faktorë:

  1. Shëndeti i përgjithshëm i subjektit pritës;
  2. Shkalla e ekspozimit ndaj patogjenit (sasia e Legjionelës në një vëllim të caktuar uji dhe kohe ekspozimi);
  3. Virulenca dhe ngarkesa infektive e sojit bakterial.

Për sa i përket shëndetit të përgjithshëm të subjektit të ekspozuar ndaj bakterit, është e mundur të identifikohen disa faktorë kritikë që mund të kontribuojnë në një rezultat vdekjeprurës.

Këta faktorë të ndjeshmërisë më të madhe individuale janë mbi të gjitha:

  • Mosha e vjetër;
  • Seksi mashkullor;
  • Konsumimi i cigareve;
  • Konsumimi i alkoolit;
  • Sëmundjet kronike të mushkërive;
  • Patologjitë e mëparshme kronike (diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, insuficienca renale, sëmundjet kronike etj…);
  • Mungesa e imunitetit dhe imunosupresioni (shkaktuar nga sëmundjet, transplantet e organeve ose trajtimet imunosupresive të kancerit).

Cilat janë strategjitë e përgjithshme për të parandaluar Pneumoninë Legjionela

Rritja e rasteve me pneumoni nga Legjionela të regjistruara vitet e fundit nxjerr në pah nga njëra anë nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për rrezikun e Legjionelës, nga ana tjetër për të promovuar rëndësinë e parandalimit dhe kontrollit të impianteve në rrezik.

Siç tregohet edhe në udhëzimet për parandalimin dhe kontrollin e Legjionelozës (Shënim: siç u përmend dhe më sipër, në Shqipëri nuk kemi asnjë normative rregulluese), rreziku i mundshëm i marrjes së sëmundjes duhet të ulet dhe përmbahet duke miratuar të gjitha masat e mbikëqyrjes, kontrollit dhe parandalimit.

Në çfarë temperature vdes Legjionela dhe si të mbahet një impiant i sigurtë

Legjionela është një rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe një rrezik që nuk duhet nënvlerësuar për të gjitha impiantet e ujit.

Prandaj është e nevojshme të kufizohet sa më shumë formimi dhe përhapja e pakontrolluar, duke eliminuar kushtet kryesore optimale për zhvillim. Një nga këto, siç do të shohim, është temperatura e ujit.

Disa nga strategjitë e parandalimit të dobishme për minimizimin e rrezikut të Legjionelës në impiantet e ujit mund të përmblidhen në pikat e mëposhtme:

  1. Projektimi i duhur i impianteve që përfshijnë ngrohjen e ujit;
  2. Shmangja e instalimit të tubave me seksione të mbyllura që formojnë ngecje dhe parandalojnë ri qarkullimin e ujit;
  3. Pastrimi periodik i impianteve, duke hequr sedimentet dhe ngërçet, dhe duke përdorur dezinfektues efektivë për Legjionelën si hipoklorit natriumi;
  4. Të kryhet vlerësimi i rrezikut të Legjionelës çdo dy vjet (më mirë çdo vit) dhe hartimin e Regjistrit me të gjitha mirëmbajtjet e zakonshme dhe të jashtëzakonshme të kryera;
  5. Kryerja e shpeshtë e analizave mikrobiologjike të ujit – çdo 3 muaj;
  6. Kontrolli i cilësisë së ujit në impiantet e centralizuara dy herë në vit: në fillim dhe në fund të sezonit ftohës, por edhe pas një periudhe jo aktivizimi;
  7. Kontrolli i efikasitetit të filtrave dhe zëvendësimi periodik i tyre;
  8. Trajtime periodike biocide për të luftuar rritjen e algave dhe protozoarëve në impiantet që janë ushqim për Legjionelën;
  9. Kryerja e programeve të trajtimit të ujit, të aftë për të parandaluar formimin e foleve të Legjionelës.

Përsa i përket temperaturës së ujit, siç thamë, është thelbësore që kjo të mbahet mbi kufirin që favorizon përhapjen e bakterit (25 – 55°C). Temperatura optimale për Legjionelën është rreth 35-37°C.
Nën 25°C bakteri mbijeton por është në gjendje të fjetur. Në 45°C, Legjionela ndalon së rrituri. Ndërsa temperatura rritet, duke kaluar 50°C, me shpejtësi bakteri pushon së jetuari.
Kujtojmë që këto masa nuk garantojnë që një impiant të jetë pa Legjionela. Megjithatë, ato ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të kontaminimit me rezultate potencialisht fatale.

Ne Evropë është e detyrueshme që pishinat, hotelet dhe çdo ambient tjetër që përdor kondicionim duhet të kryejë analizat për Legjionelën në mënyrë të rregullt në bazë të një plani ku janë përcaktuar vendet e marrjes së mostrave si dhe frekuencën e tyre. Standardi global per analizimin e Legjionelës është ISO 11731:2017.

Burimi: legionella.it
Përgatiti në shqip: Studio EON

Nëse keni nevojë për asistencë dhe për kontrollin e prezencës së Legjionelës ose për redaktimin e DVR (Dokumentit të Vlerësimit të Riskut), na kontaktoni.



    This will close in 0 seconds