fbpx
 

AKU: Me kurs kuzhine mund të drejtosh një fabrikë prodhimi ushqimor

Me 12 shtator 2019 iu drejtuam me poste elektronike Drejtorisë se Përgjithshme te AKU-se ne adresën zyrtare info@aku.gov.al, për te kërkuar informacion mbi interpretimin qe ky institucion i bën VKM 538 date 26.05.2009 për te pajisur me licence operatoret e biznesit ushqimor.
Gjoba për mungesën e kësaj licence është 2.000.000 leke.
Mbi 65 biznese ushqimore u gjobiten me këtë vlere ne një kohe te shkurtër vitin e kaluar.
Përgjigja e institucionit erdhi me date 16 shtator 2019 dhe nder te tjera citonte:

“Lidhur me kerkesen tuaj ne lidhje me legjislacionin qe duhet t’i referoheni per T’u paisur me licence, Ju informojme se:
Legjislacioni eshte:
— Ligji Nr. 9863, date 28.01.2008 “Per Ushqimin” i ndryshuar,
— Ligji Nr.10081, date 23.02.2009 “Per Liçencat, Autorizimet dhe Lejet ne Republiken e Shqiperise” i ndryshuar
— VKM-ne Nr. 538, date 26.05.2009 “Per liçencat dhe lejet qe trajtohen nga apo nepermjet QKB dhe disa rregullave te tjera nenligjore te perbashketa” e ndryshuar, per liçencat e grupit te trete (qe i perkasin AKU-se); Fusha II, Ushqimi dhe Shendeti, kategoria II.I, Prodhimi dhe/ose tregtimi i ushqimeve
[…]
Prodhimi dhe/ose tregtimi i ushqimeve, pika 19 e kesaj VKM citon se: subjektet qe kryejne veprimtari me pakice lidhur me nenkategorite A dhe B e qe kupton subjektet e regjistruara si pagues te takses vendore mbi biznesin e vogel nuk licencohen. Keto subjekte jane te detyruara te njoftojne autoritetet e permendura si institucion tjeter lidhur me nenkategorite A dhe B per vendin e kryerjes se aktivitetit dhe natyren e tij jo me vone se 30 dite nga fillimi i veprimtarise me pakice.
Nese subjekti nuk eshte biznes i vogel atehere referuar legjislacionit ne fuqi duhet te licencohet.

Ne këtë artikull e trajtojmë me ne brendësi aspektin ligjor dhe arsyen pse ky interpretim na duket i gabuar: https://www.eonimpresa.com/mbi-interpretimet-e-aku-dhe-qkl/?lang=sq).

Pasi morëm këtë përgjigje, iu drejtuam Ministrisë se Bujqësisë, me ne dijeni AKU-ne, për këtë interpretim. Ministria Bujqësisë na xhiroi përgjigjen e ish Drejtorit te Përgjithshëm Z. Hetoja i cili praktikisht shprehte faktin qe nder 65 bizneset e gjobitura, asnjëra nuk kishte kryer ankimim, pra sipas interpretimit te ish drejtorit te përgjithshëm te AKU-se: bizneset ishin ne dakordesi me këtë interpretim dhe për ta situata quhej praktikisht e mbyllur.
Ministria e Bujqësisë përveç kalimit te përgjigjes se Z. Hetoja na ftoi t’iu drejtonim Ministrisë se Financave qe, ne mendim te ngjashëm me tonin, kishte kompetencën për interpretimin de iure te aktit normativ.
Akoma sot jemi ne pritje te një përgjigje nga institucioni i sipërcituar. Ndërkohe, situata duket e qetësuar, flaka e kundërvajtjeve administrative ne atë shume te konsiderueshme duket e venitur brenda një “aksioni” pak mujor. Nuk dimë nëse koincidence ishte edhe zëvendësimi i drejtuesit te përgjithshëm te institucionit, Z. Hetoja me Z. Lili.

Situata evoluoi kur para disa ditësh disa studente te shkencave ushqimore, por dhe disa subjekte te sektorit ushqimor, na kërkuan informacion ne lidhje me kriteret qe duhet te plotësoje drejtuesi teknik i një OBU-je (operator i biznesit ushqimor), kriter kryesor për tu pajisur me licencën e sipërpërmendur.
Sipas legjislacionit te pas vitit 2008 (Ligji 9863 date 28.01.2008 “Për Ushqimin” dhe aktet nënligjore) te përafruar me rregulloret evropiane, menduam qe, si dhe ne BE, këtë profil profesional mund ta përmbushte vetëm një person me arsim te larte ne teknologji agroushqimore ose te ngjashme.
Duke u përballuar shpesh me interpretime te llojit te sipërm nga ana e institucionit te AKU-se, menduam ti kërkonim përsëri informacion këtij te fundit.
I cili, duhet thënë, është tejet i disponoheshim ne dhënien e informacionit dhe na u përgjigj menjëherë:

“Ju informojme se kriteret që duhet të plotësojë ky i fundit përfshin të paktën një nga shkallët e arsimimit apo kualifikimeve të mëposhtëme[1]:

-Arsim i lartë në degën kimi ose teknologji ushqimore;
-Arsim i mesëm profesional ushqimor;
-Shkallën e mesme të atestimit në fushë e ushqimit;
-Kurse specializimi pranë Institutit të kërkimeve të ushqimit;
-Dëshmi specializimi brenda ose jashtë vendit ne fushën e ushqimit.

Për më shumë infomacion, referuar bazës ligjore, lutemi, konsultohuni me faqen zyrtare online të institucionit tonë: www.aku.gov.al.
[1] Urdhëri Nr. 56, datë 06.02.2006 “Mbi Procedurat e dhënies së lejeve tekniko-teknologjike dhe profesionale për prodhimin e produkteve ushqimore”.

Urdhri 56 date 06.02.2006 nuk gjendet ne faqen zyrtare www.aku.gov.al, gjithsesi duke qene një urdhër i mbështetur ne ligjin e shfuqizuar Ligji nr. 7941 date 31.05.1995, i kërkuam përsëri informacion AKU-se nëse e përcakton si akt nënligjor me fuqi juridike te plote dhe aktual urdhrin e sipër cituar (kur shfuqizohet një ligj, ministria përkatëse nxjerr akte nënligjore koherente me ligjin dhe aktualitetin e ri; kjo për faktin se aktet nënligjore te mbështetura ne ligjin e vjetër kane humbur disi aspektin real normativ).
Ne letërkëmbimin e mëpasshëm, Koordinatori për te Drejtën e Informimit ne Sektorin Juridik te Drejtorisë se Përgjithshme te AKU-se, Z. Klaudio Gica, na informoi qe:

“Urdheri nr. 56 date 06.02.2006 eshte ne fuqi.
… sa i takon deshmise se aftesise profesionale te drejtuesit teknik, Vkm 538 date 26.05.2009 nuk percakton nese ajo duhet te jete nje diplome universitare, diplome e nje shkolle profesionale apo nje kursi profesional 2 mujor. Rrjedhimisht ne referim te Urdherit nr.56 date 06.02.2006 Mbi Procedurat e dhënies së lejeve tekniko-teknologjike dhe profesionale për prodhimin e produkteve ushqimore” secila prej deshmive te aftesise e zoteruar nga nje individ e lejon ate te kryej detyren e drejtuesit teknik.”

Pra, me praktikisht nga përgjigja e Z. Gica kuptojmë qe për AKU, kushdo qe mbaron një kurs pastiçerie, një ditor apo një vjeçar, mund te emërohet drejtuesi teknik i një fabrike ëmbëlsirash, ose te ngjashme.
Për te konfirmuar ketë logjike juridike por absurditet shkencor, e pyesim me specifikisht Z. Gica:

“ 1. Nje subjekt ushqimor, per te cilin AKU interpreton sipas VKM 538 date 26.05.2009 qe duhet te pajiset me licence, mjafton te emertoje drejtues teknik nje person qe p.sh. ka marre nje deshmi specializimi ne fushen e ushqimit (kurs kuzhine)?
2. Nje fabrike ushqimore mund te emertoje drejtues teknik nje person me deshmi specializimi 2 mujore ne fushen e kulinarise apo institucioni juaj kerkon kritere me specifike duke u bazuar mbi formen e subjektit ushqimor?
3. Nje subjekt ushqimor jo prodhues (restorant, bar etj.), duhet te pajiset me licence, dhe rrjedhimisht me drejtues teknik te emeruar sipas kritereve te Urdhrit nr.56 date 06.02.2006 “Mbi Procedurat e dhënies së lejeve tekniko-teknologjike dhe profesionale për prodhimin e produkteve ushqimore”?”

Përgjigja, përveç te tjerave, ishte:

“Sa i takon specifikimeve, ato do te vleresohen nga grupi inspektues rast pas rasti nese deshmia e aftesise se drejtuesit teknik perputhet me aktivitetin qe shoqeria synon te kryej.”

Vazhdojmë te jemi akoma me te habitur për rrugën qe ndjek AKU për menaxhimin e aspekteve shkencore te vlerësimit te stafeve te OBU-ve, për këtë kërkojmë me insistim nëse ajo qe lexojmë është një lapsus apo bindje e plote:

“Mbi cfare akti normativ mbeshtetet grupi inspektues per te vleresuar aftesite e drejtuesit teknik? Bejne nje test te aftesive, inspektojne programin didaktik pas te cilit eshte pajisur me deshmi drejtuesi teknik apo thjesht mbi eksperiencen ne sektor te inspektoreve?”

Përgjigja ishte:

“VKM ne fjale percakton se drejtuesi teknik duhet te kete deshmi te aftesise profesionale sipas specifikimeve. Specifikime ne kete rast i referohet fushes se veprimtarise se subjektit, e cila kerkon njohuri te posacme per tu ushtruar. Inspektoret nuk vleresojne aftesite e drejtuesit tuaj teknik por gjate kontrollit te ushtruar me qellim licencimin e subjektit verifikojne nese deshmia e aftesise perputhet me aktivitetin qe ushtron. (EON: Pra, sipas këtij interpretimi mbi urdhrin e vitit 2006: me një dëshmi aftësie pas një kursi ne kulinari mund te behësh gjithçka! Për një specialist ne protokollet e sigurisë ushqimore dhe ne standardet ndërkombëtare situata duket absurde, por ne zyrat e AKU-se ndjehen te sigurte qe këtu ka një logjike juridike dhe kaq është e mjaftueshme.)

Ne lidhje me pyetjen e dyte e te trete sqarojme se aktet ligjore qe normojne fushen e OBU-ve nuk i parashohin si koncepte te ndara fazat e prodhimit, perpunimit dhe shperndarjes se ushqimit.

Konkretisht pika 16 e nenit 3 te ligjit Nr.9863/2008 i ndryshuar percakton se

16.“Faza të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes” është çdo fazë, përfshirë importet dhe lëndët e para për prodhimin e ushqimeve, pёrfshirё ruajtjen, transportin, shitjen ose furnizimin e konsumatorit përfundimtar dhe, në mënyrë të ngjashme, importimin, prodhimin, ruajtjen, transportin, shpërndarjen, shitjen dhe furnizimin e ushqimeve për kafshë.

Gjitashtu VKM percakton se keto faza (Prodhim, përpunim e shpërndarje me shumicë e ushqimeve) perfshihen ne te njejten nenkategori me kodin II.1.A.

Pra ligji i lartcituar dhe VKM 538 nuk bejne nje parashikim per secilen nga fazat por per te gjitha sebashku duke i trajtuar si nje te vetme sa i takon perkufizimit te tyre dhe kritereve te licencimit.

Kjo pikerisht per trajtimin e seciles ne menyre te barabarte duke shmangur edhe krijimin e vakumeve ligjore, si parashtruar nga ana juaj, me qellim e vetem garantimin e standarteve me te larta ne fushen e sigurise ushqimore.
Ne kete kuptim aktiviteti prodhues, nuk do te interpretohet ne kuptimin e tij te ngushte por sipas frymes se ligjit per Ushqimin sa i takon zbatimit te ligjit ne fjale lidhur me licencimin e me gjere.
Sa me lart edhe nje OBU i cili nuk ushtron ativitet tipik prodhues ka detyrim per tu licencuar. Subjeket perjshtohen nga detyrimi per tu licencuar vetem ne rast se ushtrojne aktivitet me pakice sipas percaktimeve te VKM.”

Përgjigja ka një mangësi te dukshme ne konceptin shkencor, koncept qe duhet ti përkasë një institucioni si AKU, i cili ka për mision monitorimin, analizën dhe menaxhimin e riskut ushqimor, pra aspekte shkencore dhe jo juridike (te cilat mund ti përkasin fare mire institucioneve si gjykatat apo prokuroritë).
Ligji “Për Ushqimin” 9863/2008 dhe VKM 538 date 26.05.2009, ndryshe nga interpretimi i AKU-se, nuk bëjnë parashikim për secilën nga fazat, jo për arsye se i shohin si faza te njëjta, por sepse trajtojnë faktorin e riskut ushqimor, pra trajtojnë aspektin e tyre shkencor.
Një specialisti te sektorit ushqimor do ti kishte rene menjëherë ne sy pjesa e dyte e cituar nga Z. Gica: “me shumice te ushqimeve”.
Konkretisht VKM 538 date 26.05.2009 ne fushën II “Ushqimi dhe Shëndeti” citon vetëm tre tipologji licencimesh për subjektet me aktivitet ushqimor:

a) “Prodhim, përpunim e shpërndarje me shumicë e ushqimeve”, me kodin II.1.A;
b) “Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore (për njerëz)”, me kodin II.1.B;
c) “Prodhimi primar me shumicë”, me kodin II.1.C.

Pra dukshëm, VKM 538 parashikon vetëm 3 kategori licencash dhe te tre keto kane një faktor te përbashkët mes tyre, nuk janë fazat por veprimtaria me shumice.
Pse aktet normative kane kriter këtë aspekt?
Per nje arsye fare te thjeshte: interpretimi ligjor nuk duhet te behet Ligji 9863/2008 > VKM 538 > Urdhri nr. 56, por duhet shtuar hallka shkencore, dhe interpretimi i sakte do te ishte Ligji 9863 > Udhëzimi nr.20 HACCP > VKM 538…
Ne Udhëzimin 20 date 25.11.2010, legjislacioni specifikon pse duhen licencuar subjektet ushqimore me veprimtari me shumice: risku ushqimor është me i larte, dhe kriteret e këtyre subjekteve kane nevoje te licencohen dhe gjithashtu te kenë brenda tyre një drejtues teknik, i cili kurrsesi nuk mund te ketë mbaruar thjesht një kurs kulinarie, pastiçerie ose te ngjashme. Udhëzimi nr. 20 date 25.11.2010 nuk mund te interpretohet nga një jurist sepse ka aspekte shkencore te standardit ndërkombëtar HACCP.
Mund te ketë qene kjo arsyeja pse Z. Gica, Koordinator ne Sektorin Juridik te AKU-se ta ketë anashkaluar?

Nëse interpretimi i Z. Gica do te ishte i drejte, pra nëse Ligji 9863/2008 dhe VKM 538 nuk do tu fokusonin tek faktori i riskut por tek barazimi i fazave, atëherë do te kishim subjekte qe për te transportuar produkte ushqimore nga shumica ne dyqanin personal, do duhet te pajisenin me licence te kategorisë II.1.

Te barazosh prodhimin me përpunimin, me ruajtjen, me transportin, me shitjen etj. mund te ketë një logjike vetëm për ka studiuar dhe ushtron profesion ne fushën ligjore por kurrsesi nuk mund te ketë qellim ”…garantimin e standarteve me te larta ne fushen e sigurise ushqimore.”.
Nëse do te ishte i sakte citimi

Kjo pikerisht per trajtimin e seciles ne menyre te barabarte duke shmangur edhe krijimin e vakumeve ligjore, si parashtruar nga ana juaj, me qellim e vetem garantimin e standarteve me te larta ne fushen e sigurise ushqimore.”,

atëherë  do te ishte BE qe do te përafronte legjislacionin e saj me Shqipërinë dhe jo anasjelltas, si dhe Shqipëria do te kishte standarde me te larta se BE ne fushën e sigurisë ushqimore.
Realiteti, përpara syve dhe te jo eksperteve ne fushën e Sigurisë Ushqimore, me keqardhje, besoj është i qarte: pohimi është sa me larg te jete e mundur me aktualitetin. Shqipëria sot ka problematika te mëdha ne sistemin e sigurisë ushqimore,  si dhe ka një vakum ligjor te rëndësishëm, te cilin po përpiqet ta plotësoje qe pas vitit 2008, pikërisht duke përafruar sistemin e saj legjislativ me atë te BE. Përafrim qe duket tejet i largët nëse institucioni i AKU-se ushtron veprimtarinë e saj duke u bazuar tek interpretimet e juristeve dhe jo tek vlerësimet e specialisteve agroushqimore.
Ne një sektor si ai i ushqimit, aktet normative duhet te kenë parasysh shume variabla te nevojshme per qëllimin e rregullimit te këtij sektori. Variabla si fizibiliteti, faktori riskut etj..
Interpretimet e një institucioni si AKU duhet te kenë ne primis një sens shkencor dhe me pas sensin juridik. Ndërsa ne jetën tone te shkurtër si Studio EON ne Shqipëri, po përballemi shpesh me interpretime thjesht juridike te mjegullta, te një forme “kështu e gjeta, kështu veproj”, qe ndeshen keqazi me fizibilitetin, faktorët e riskut si dhe me standardet evropiane dhe botërore te sektorit ushqimor.

Çdo dite e me tepër, disa aspekte nga puna e AKU-se na lënë te habitur ne formën dhe strukturimin qe ky institucion i bën atyre fare pak akteve normative qe rregullojnë sektorin ushqimor ne vendin tone. Me siguri, mungesa e normimit te një sere aspektesh shkakton shume vështirësi ne zbatimin e përditshëm te punës se këtij institucioni. Nuk do donim kurrë tu gjenim ne vendin e stafit te AKU ne shume momente te ditës, duke filluar qe nga personeli i PIK e deri tek inspektori i fundit ne terren, por ne anën tjetër: kjo lehtësi normativash a nuk duhet ta bënte disi me fleksibël dhe profesional aspektin shkencor te stafit te AKU-se?

Ne ditët ne vijim, sapo aktiviteti i ministrive do ti rikthehet normalitetit, do te kërkojmë një takim me Ministrinë e Biznesit dhe Ministrinë e Bujqësisë per te kërkuar fillimin e një sinergjie operative per te kufizuar interpretime te mjegullta qe impaktojne kaq rende kundrejt biznesit, tashme tejet te lënduar te vendit tone.
Ministria Bujqësisë, me kohen, ka treguar qe është shume e ndjeshme ne pengesat qe has biznesi ushqimor, si ndodhi kur prezantuam problematikat me Urdhrin nr. 374 date 31.08.2017, dhe jemi te bindur qe dhe kësaj radhe do te gjejmë një rruge te përshtatshme per t’iu larguar formave te prapambetura burokratike dhe do ti afrohemi me shume sistemeve evropiane dhe botërore tashme te konsoliduara.



    This will close in 0 seconds