Konsumimi i ushqimeve pas datës së skadimit

Deri kur mund të konsumohet ushqimi përtej datës së skadimit

Sa kohë zgjasin ushqimet e paketuara pas datës së skadimit? A mund t’i konsumoni ato edhe pas kësaj date? Në të vërtetë, nuk është gjithmonë e nevojshme ta hedhësh menjëherë, por kjo varet nga lloji i ushqimit dhe si është ruajtur.

Çfarë thotë ligji
Që nga tejkalimi i datës së skadimit, konsumimi i ushqimit mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin për shkak të përhapjes së baktereve. Ligji përcakton detyrimet e afatit në varësi të llojit të produkteve ushqimore.

Afati i fundit për produktet e freskëta
Data e skadencës së treguar në paketimin e ushqimit tregon datën deri në të cilën produkti është i përshtatshëm për tu konsumuar në përputhje me rregullat e konservimit të sugjeruara nga prodhuesi. Të gjitha paketimet e produkteve ushqimore të tilla si mish dhe djathë i freskët, qumësht dhe produkte të qumështit të freskëta, makarona të freskëta, etj., duhet me ligj të përmbajnë fjalët “të përdoret para“, pasuar nga data dhe kushtet e magazinimit. Ligji gjithashtu ndalon shitjen e produkteve ushqimore, pas tejkalimit të datës së skadimit.

Skadimi i produkteve që nuk i nënshtrohen prishjes së shpejtë
Në këtë rast formulimi “të përdoret para” zëvendësohet (Shënim: në VKM 434 datë 11.7.2018 ka një gabim në perkthim, në artikull përdoret formulimi i saktë) me formulimin “preferohet të konsumohet brënda”, e ndjekur nga e ashtuquajtura DJM, data e jetëgjatësisë minimale, dmth koha minimale që një ushqim, gjithmonë nëse ruhet në mënyrë korrekte, ruan karakteristikat e tij specifike.

Skadimi për produktet që mund të ruhen për 3 deri 18 muaj
Për produktet që ruhen për 3 muaj, mjafton të tregohet dita dhe muaji i skadimit; për produktet ushqimore që mund të ruhen nga 3 deri në 18 muaj, mjafton të tregohet muaji dhe viti i skadimit; së fundmi, për produktet që mund të ruhen për më shumë se 18 muaj, mjafton të tregohet viti.

Afati për frutat dhe perimet e freskëta
Nëse janë të paprekura, dmth. të paprera ose të paqeruara, treguesi i datës së jetëgjatësisë minimale (afatit të ruajtjes minimale) nuk është i detyrueshëm, kështu si dhe për verën, uthullën, kripën dhe sheqerin në gjendje të ngurtë, bukën, prodhimet e freskëta pastiçerie, pije alkoolike me një përqindje alkooli jo më tepër se 10%, çamçakëz etj.

Është e skaduar! Ta hedh apo mos ta hedh?
Siç thamë më sipër, jo të gjitha ushqimet e skaduara duhet të hidhen menjëherë në plehra, ja disa këshilla për të ditur se si të sillemi.
Kini kujdes megjithatë! Këto rregulla zbatohen nëse produkti është ruajtur në mënyrë korrekte dhe në çdo rast është gjithmonë e mirë ti mbahet erë ose të provohet pak para se ti jepet fëmijëve, në çdo rast duhet të përdoret pak bonsens.

Kosi i skaduar
Kosi mund të konsumohet deri në 6 ose 7 ditë pas datës së skadimit; megjithatë, mbani në mend se vlerat e tij ushqyese do të reduktohen; përsa i përket vlerave organoleptike, humbja është praktikisht e parëndësishme. Është e këshillueshme që kosin ta ruani në frigorifer në mënyrë korrekte dhe në momentin e blerjes është e këshillueshme që të kontrolloni që mbyllja e paketimit të jetë e paprekur. Nëse kosi është pak i lëngshëm, përziejini pak dhe kthehet në qëndrueshmërinë e duhur.

Qumështi i freskët i skaduar
Data e skadimit të qumështit të freskët të pasterizuar dhe qumështit të freskët të pasterizuar me cilësi të lartë përcaktohet me ligj në ditën e 6° pas trajtimit termik. Data e skadimit të qumështit të mikrofiltruar të freskët të pasterizuar është vendosur në ditën e 10° pas trajtimit termik. Përtej këtyre afateve është e këshillueshme që të evitohet konsumimi i këtyre produkteve, edhe pse disa thonë se tejkalimi i afatit të skadimit të një ose dy ditëve nuk duhet të shkaktojë probleme.

Djathë i skaduar
Sa i përket djathit, afati ndryshon nëse djathi është i freskët ose i stazhionuar. Për djathrat e freskët është mirë që ti përmbaheni datës së skadimit të treguar në paketim, ndërsa për djathrat e stazhionuar dhe me brumë të fortë, pas datës së skadimit, kanë tendencë për të krijuar pak myk; është e mjaftueshme, megjithatë, ta hiqni me kujdes për ta konsumuar pa ndonjë problem.

Konservat e skaduara
Turshitë e konservuara kanë skadime të ndryshueshme 2 deri në 3 vjet; nuk ka probleme nëse këto ushqime vihen në tryezë dy muaj pas skadimit. Konservat e domates kanë skadime të ndryshme nga 12 deri në 20 muaj; konsumi brenda dy muajve pas afatit të skadimit nuk krijon ndonjë problem.

Sallamrat me feta të skaduar
Sallamrat me feta dhe të paketuara duhet të konsumohen brënda dates së skadimit të treguar në paketim. Shkuarja përtej kësaj date ka rrezikshmëri infeksionesh. Gjithashtu është shumë e rëndësishme t’i mbani të mbyllura mirë në frigorifer për të qenë e vlefshme data e skadimit.

Lëngje frutash të skaduara
Këto pije me bazë frutash zakonisht kanë një skadim të ndryshueshëm nga 6 deri në 12 muaj. Më mirë të respektohet data e skadimit për të mos humbur shijen dhe cilësitë organoleptike.

Vaj i skaduar
Nëse në qilar kemi një shishe me vaj të kualitetit të mirë / të shkëlqyer, mund të konsumohet edhe pas 8 muajsh nga data e skadimit të treguar në etiketë. Më së shumti mund të humbasë një sasi minimale të vlerave organoleptike.

Peshk dhe ushqime të ngrira të skaduara
Për peshkun dhe pjatat me bazë peshk të ngrirë, nëse ruhet si duhet konsumi i tyre mund të kryhet deri në 2 muaj pas datës së skadimit të treguar në paketim. Nëse, për shembull, doni të konsumoni karkaleca të papërpunuar të ngrirë, është më mirë të respektojmë afatin për të shmangur rrezikun e listeriozës. Nëse, nga ana tjetër,mendoni ti gatuani, mund të shkoni përtej kohës së ruajtjes minimale, normalisht pa e ekzagjeruar. Për peshk në konservë me ruajtje të përshtatshme mund të konsumohet në mënyrë të sigurt edhe 1 ose 2 muaj pas datës së skadimit

Makarona dhe biskota të skaduara
Makaronat e thata dhe orizi zakonisht kanë një skadim që varion nga 2 deri në 2 vjet e gjysmë; edhe nëse konsumohen pas disa muajsh ata nuk krijojnë asnjë lloj problemi, por duhet të jenë ruajtur siç tregohet në paketim. Përveç se të jenë mbyllur mirë, rekomandohet një vend I freskët dhe i thatë. Biskotat e thata ashtu si makaronat dhe orizi, edhe pse mund të ndodhë përkeqësim i karakteristikave organoleptike dhe humbje minimale e fortësisë.
Kini kujdes se nëse nuk janë të mbyllura mirë dhe sidomos gjatë sezonit të nxehtë, formohen të ashtuquajturat “flutura” të cilat në një çast mbushin kuzhinën dhe qilarin. Në këtë rast, hidhni paketimin e dëmtuar.

Vezët e skaduara
Vezët e papërpunuara duhet të konsumohen maksimumi deri në 3 ditë pas datës së skadimit; nëse i skuqni mund ti konsumoni brënda një jave nga data e skadimit. Tejkalimi i këtyre kufizimeve ju ekspozon ndaj një rreziku të panevojshëm ushqimor.

Panetone dhe pandoro të skaduar
Këto ëmbëlsira tradicionale të lidhura me festat e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve kanë afate prej afro 4-5 muajsh. Mund të konsumohen lehtësisht deri në dy javë pas skadimit të tyre, edhe nëse humbin pak aromë dhe butësi.

Ushqime pa date skadimi
Shumë ushqime bëjnë pjesë në këtë kategori, siç janë pijet alkoolike, uthulla, kripa, sheqeri etj.

Helmimi për shkak të ushqimit të skaduar
Nëse konsumohen ushqime të skaduara, mund të shfaqen disa simptoma, nga ato të bezdisshme, por të padëmshme dhe të përkohshme, siç janë dhimbjet e stomakut deri në më të rëndat, që shfaqen në rast intoksikimi dhe toksinfektimi me ushqim. Simptomat më serioze siç janë të vjellat, dizenteria, të përzierat dhe ethet mund të ndodhin pas konsumimit të ushqimeve të skaduara ose të kontaminuara me mikroorganizma të rrezikshëm, siç janë viruset, bakteret ose kërpudhat.

Kujdesi dhe këshillimi

  • Në rastin e paketave të hapura duhet të verifikohet që ushqimi nuk përmban myk dhe nuk ka një ngjyrë të çuditshme, si dhe një erë të keqe.
  • Në rastin e paketimeve të vulosura, duhet të keni kujdes për të shmangur erëra të pakëndshme ose ënjtje të paketimit.
  • Në muajt e ngrohtë, ushqimet priren të përkeqësohen më shpejt. Prandaj është e dobishme të konsumohen pa pritur datën e skadimit.

 

Përshtati me legjislacionin shqiptar: Studio EON
Burimi: alimentipedia.it



[contact-form-7 id="355" title="Forma Kontaktit"]

This will close in 0 seconds